Izraeli bllokon ndërtimin e bazës për trupat e Kosovës në Gaza
Gazeta britanike The Guardian njofton se autoritetet izraelite po pengojnë nisjen e punimeve për bazën ku pritej të sistemoheshin ushtarët ndërkombëtarë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Iniciativa e Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, e cila parashikon vendosjen e një force ndërkombëtare për stabilizim në Gaza, po ndeshet me vështirësi në terren. Sipas raportimit të gazetës britanike, shteti izraelit nuk po lejon hyrjen e kamionëve dhe të kontraktuesve në territorin e Gazës, çka ka bërë që punimet për ngritjen e bazës ushtarake të mbeten të bllokuara dy muaj pas lidhjes së kontratës me kompaninë amerikane nga Luiziana, Arkel International.
Hapësira e parashikuar ushtarake do të përdorej për strehimin e përkohshëm të 150 trupave ndërkombëtare, të cilat bëjnë pjesë në një trupë më të gjerë prej 500 ushtarësh nga Kosova dhe Maroku, tashmë të nisur për këtë mision. Kompleksi ushtarak është planifikuar të ngrihet në një zonë të fortifikuar prej rreth 100 me 100 metrash, në një lokacion që dikur shfrytëzohej nga Fondacioni Humanitar i Gazës. Një burim me njohuri të drejtpërdrejta mbi çështjen ka theksuar se realizimi i këtij projekti mbetet i kushtëzuar nga lejimi i autoriteteve izraelite.