← kosove
Live · kosove · 22:13 · 22 Korrik 2026

LDK nuk lëviz: presidenti dhe kryeministri nuk i takojnë të njëjtit subjekt

LDK-ja kërkon të themelojë institucionet e vendit pas zgjedhjeve

PRISHTINË — Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka deklaruar se partia mbështet vazhdimin e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se prioritet mbetet funksionalizimi i shtetit pas zgjedhjeve. Në emisionin „Click“ në RTV21, Manaj tha se LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e konstituimit të institucioneve, por nënvizoi se çdo marrëveshje për bashkëqeverisje duhet të jetë në interes të Kosovës dhe të respektojë parimet e partisë.

„Duhet të vazhdojnë bisedimet, sepse është me rëndësi që të themelohen institucionet e vendit pas këtyre zgjedhjeve. Ne kemi shprehur gatishmërinë që të jemi pjesë e konstituimit të institucioneve dhe, nëse formula e bashkëqeverisjes është e përshtatshme për LDK-në, por jo vetëm për LDK-në, edhe për shtetin, atëherë mund të ecim përpara“, tha Manaj.

Ai theksoi se një nga kushtet e panegociueshme të LDK-së është ndarja e posteve më të larta shtetërore. „Ne kemi kërkesa shumë të qarta që pozitat e presidentit dhe kryeministrit asnjëherë të mos i takojnë të njëjtit subjekt politik. Këto janë parimet tona dhe, pasi të kalohen këto çështje, mund të bisedojmë për një koalicion bashkëqeverisës, që mendoj se i duhet Kosovës“, deklaroi Manaj.

Manaj tha se Kuvendi i LDK-së do të thirret brenda afatit minimal ligjor dhe se mbledhja do të mbahet para seancës konstituive. „Ky Kuvend do të thirret në afatin sa më të shpejtë minimal. Ky Kuvend do të mbahet para seancës konstituive“, tha ai, duke shtuar se LDK e konsideron të domosdoshëm funksionalizimin e institucioneve dhe se partia është e gatshme të kontribuojë në këtë proces.

Duke folur për çështjen e presidentit, Manaj theksoi se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar dhe se kandidatura e partisë mbetet presidentja aktuale, Vjosa Osmani. „LDK-ja e ka kandidaten e saj për presidente, Vjosa Osmanin“, deklaroi ai.

Në lidhje me Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, Manaj vlerësoi se procesi nuk ishte i nevojshëm në rrethanat aktuale, duke paralajmëruar se ai mund të krijojë ndarje brenda partisë. „Ne kemi hyrë në një proces, sepse ky proces është ngritur nga disa delegatë të LDK-së. Në vlerësimin tim, ky kuvend është i guximshëm, por në rrethanat e tilla LDK-së nuk i është dashur. Ne kemi dalë nga një kuvend në janar dhe, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat ndodhet Kosova, ky Kuvend i Jashtëzakonshëm nuk ka qenë i nevojshëm“, tha Manaj. Ai shtoi se një kuvend i tillë nuk kontribuon në unitetin e partisë, por mund të prodhojë ndarje të panevojshme. „Një kuvend i tillë nuk është kuvend që na përbashkon në kuadër të partisë, por mund të krijojë përçarje që nuk do t’i duhen LDK-së“, deklaroi Manaj.

Burim: RTV21
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #kosove

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën