Kush forcon shumicën në Maqedoni me PDT?
PDT nënshkruan marrëveshje koalicioni me VMRO-DPMNE-në dhe do të marrë një post ministror, që përcaktohet me rikonstruimin e kabinetit qeveritar.
SHKUP — Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dhe kreu i Partisë Demokratike të Turqve, Zylfiqar Zejnulla, nënshkruan marrëveshje koalicioni. Me këtë, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja numëron tani 59 deputetë në Kuvend. Partia Demokratike e Turqve do të përfshihet edhe në pushtetin ekzekutiv, me një post ministror.
Deputeti Bejxhan Iljas, i zgjedhur si pjesë e "Frontit Evropian" të udhëhequr nga BDI-ja në zgjedhjet e fundit, do të largohet nga ky koalicion.
"Me këtë, shumica parlamentare merr edhe një deputet shtesë, ndërsa grupi parlamentar i koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja në Parlamentin e Maqedonisë do të numërojë 59 deputetë", tha Mickoski.
Mickoski konfirmoi gjithashtu se, sipas marrëveshjes, Partia Demokratike e Turqve do të ketë përfaqësues të saj edhe në pozita të tjera përgjegjëse në institucionet shtetërore. Posti ministror konkret do të përcaktohet me rikonstruimin e kabinetit qeveritar.
"Do të jemi partnerë konstruktivë dhe të përgjegjshëm të Qeverisë, duke punuar në interes të komunitetit turk, por edhe të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë", tha Zejnulla. Shumica parlamentare vazhdon të konsolidohet, ndërsa PDT-ja bëhet që sot pjesë përbërëse e koalicionit të brendshëm nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së.
Burim: TV21
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.