Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Premte · 24 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

BE kërkon kthimin e gjyqtarëve serbë — Kurti insiston në Kushtetutë

Kurti thekson se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një angazhimi konstruktiv

Redaksia ZHURMA + Ruaj
BE kërkon kthimin e gjyqtarëve serbë — Kurti insiston në Kushtetutë
FOTO · Foto: Consul General Louis John Crishock, official portrait (cropped) / Wikimedia Commons

PRISHTINË — Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takim janë diskutuar zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjet aktuale që lidhen me procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm, njofton Dukagjini.

Kurti ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një angazhimi konstruktiv, duke synuar paqe të qëndrueshme, siguri euroatlantike, stabilitet afatgjatë dhe fqinjësi të mirë evropiane. Gjatë takimit, i dërguari i BE-së ka ngritur edhe çështjen e kthimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë që kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e drejtësisë në veri të vendit.

Sipas Telegrafit, Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës insiston në respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, barazinë e qytetarëve dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve. Sipas tij, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të përfaqësohen nga qytetarë të të gjitha etnive, të cilët duhet të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë policinë, gjyqësorin dhe prokurorinë.

Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik.

Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë, thuhet në njoftim.

Në takim janë diskutuar edhe tema të tjera që lidhen me procesin e dialogut, me theks të veçantë në rëndësinë e respektimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

Burim: Gazeta Dukagjini
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Kosovë →