Kurti: Kosova kërkon anëtarësim në BE përmes meritave dhe jo rrugëve të shkurtra
Kryeministri i Kosovës flet për procesin e integrimit evropian dhe marrëdhëniet me Serbinë në një intervistë për mediumin francez.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në një intervistë se vendi mbetet i vetmi në Evropën kontinentale pa statusin e vendit kandidat, duke ia atribuar këtë vonesë mungesës së një kërkese nga Këshilli Evropian drejtuar Komisionit Evropian për një opinion. «Kjo ndodh sepse Këshilli Evropian nuk po i kërkon Komisionit Evropian një opinion për Kosovën. I kemi kryer të gjitha detyrat e shtëpisë sa u përket treguesve demokratikë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, transparencën, lirinë e shtypit, demokracinë zgjedhore dhe demokracinë liberale»,- ka thënë ai, duke shtuar se synohet një proces i bazuar te meritat dhe se shpresohet marrja e statusit në muajt e ardhshëm.
Duke trajtuar qëndrimin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë, Kurti ka përmendur se Spanja njeh pasaportën e Kosovës dhe se është ngritur statusi i zyrës në Athinë, ndërsa theksoi se mosnjohja nuk duhet të pengojë dërgimin e pyetësorit. Lidhur me kritikat për drejtësinë, ai pranoi vërejtjet e Komisionit Evropian dhe veçoi se qeveria është pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pashpjegueshme. Për sa i përket fqinjësisë, kreu i ekzekutivit tha se synohet normalizimi i plotë me njohjen e ndërsjellë në qendër. «Kosova është një shtet i pavarur, një republikë demokratike dhe sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet tona dhe për rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian»,- u shpreh ai.