Kurti kërkon ndërhyrjen e OSBE-së për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Kryeministri u takua me komisionerin e lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare, Christophe Kamp.
Kryeministri zhvilloi një bisedë me komisionerin e lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare, Christophe Kamp, lidhur me të drejtat e komuniteteve. Gjatë këtij takimi u trajtuan çështje që përfshijnë arsimin, shërbimet publike dhe përdorimin e gjuhëve.
Kreu i ekzekutivit ngriti shqetësimin rreth trajtimit të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, duke përmendur pasivizimin e adresave, pengesat arsimore dhe mungesën e përfaqësimit të mjaftueshëm në institucionet publike.
Sipas tij, shteti serb duhet të garantojë barazi, të zbatojë standardet evropiane dhe të respektojë liritë civile. Ndërkohë, ai shtoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës u siguron komuniteteve joshumicë hapësira të gjera mbrojtjeje që shpesh tejkalojnë standardet evropiane.