KSHZ konfirmon fitoren e Jahijit në Bërvenicë me 4,442 vota
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka publikuar rezultatet përfundimtare të balotazhit në Komunën e Bërvenicës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Pas numërimit të të dhënave në të gjitha 24 qendrat e votimit, Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka zyrtarizuar rezultatin e balotazhit për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim, e cila drejtohet nga BDI, ka siguruar fitoren me 4,442 vota ose 50.36 përqind të totalit.
Rivali i tij, Stojanço Radichevski nga koalicioni «Maqedonia Jote» i udhëhequr nga OBRM-PDUKM, ka marrë 4,177 vota ose 47.36 përqind, ndërsa diferenca mes dy kandidatëve ka rezultuar prej 265 votash. Në këtë garë kanë votuar gjithsej 8,820 zgjedhës, duke shënuar një pjesëmarrje prej 54.29 përqind, ndërsa 201 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.
Rezultati i këtij procesi zgjedhor ka sjellë gjithashtu përplasje në skenën politike. OBRM-PDUKM ka drejtuar akuza ndaj VLEN-it për mbështetjen e dhënë ndaj kandidatit të BDI-së në raundin e dytë, kurse përfaqësuesit e partisë kanë përmendur gjithashtu angazhimin e votuesve që jetojnë jashtë vendit.