Krenar Lloga: Mos u krenoni me zgjidhjen e papranueshme për jurisprudencën
Ish-ministri i Drejtësisë reagon ndaj miratimit të modelit të ri në Qeveri dhe kërkesës për Komisionin e Venecias.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar nevojën për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias rreth modelit të propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës. Ky hap vjen pasi ministri aktual i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e prezantoi propozim-ligjin ku parashikohet që provimi teorik të jepet në gjuhën shqipe, kurse pjesa praktike të mbetet në gjuhën maqedonase.
Lidhur me këtë zhvillim, ish-ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ka reaguar ashpër, duke kujtuar se në janar të vitit 2024 ishte votuar që provimi të zhvillohej plotësisht në gjuhën shqipe. Lloga akuzon se kjo nismë ishte hequr nga procedura parlamentare, për t'u zëvendësuar me një zgjidhje të re prej 70 për qind në shqip dhe 30 për qind në maqedonisht. «Populli ynë e thotë bukur: “Dhia e zgjebur e bishtin përpjetë!”, andaj mos u krenoni me atë që u turpëron!», shprehet ai.