KRE-ja do të ruajë energjinë, investimi prej 236.7 milionë dollarësh
U theksua rëndësia e ruajtjes së energjisë për orët e kërkesës së lartë në vend.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar mbledhjen e parë konstituive të Bordit të Korporatës për Ruajtjen e Energjisë (KRE Sh.A.), ndërmarrje publike e krijuar për të zhvilluar kapacitetet e ruajtjes së energjisë elektrike.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se themelimi i kësaj ndërmarrjeje i shton sistemit energjetik të vendit një aftësi që më parë ka munguar. Ai sqaroi se krahas prodhimit dhe transmetimit ekzistues, KRE-ja do të shërbejë për të ruajtur energjinë elektrike për periudhat kur ajo nevojitet më së shumti.
Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit theksoi se projekti është ndërtuar që nga hartimi i Programit Kompakt në bashkëpunim me partnerët amerikanë, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC). Sipas tij, vlera e përgjithshme e Programit Kompakt kap shifrën prej 236.7 milionë dollarësh, ku pjesa më e madhe sigurohet përmes grantit amerikan, ndërsa KRE-ja mbetet plotësisht në pronësi të Republikës së Kosovës.