Kosova shpreh përkushtimin për bashkëpunim rajonal në fushën e migracionit
Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka marrë pjesë në takimin e Zyrtarëve të Lartë të Procesit të Pragës në Çeki.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka marrë pjesë në takimin e Zyrtarëve të Lartë të Procesit të Pragës, i cili u mbajt në Republikën e Çekisë. Gjatë këtij takimi, që i paraprin Konferencës së Pestë Ministrore të Procesit të Pragës në Vilnius të Lituanisë, u prezantuan përparimet e arritura në fushën e migracionit.
Sipas njoftimit zyrtar, delegacioni u udhëhoq nga shefja e kabinetit të ministrit, Jeta Tela Shema. Në këtë ngjarje u theksuan arritjet në forcimin e koordinimit ndërinstitucional përmes Autoritetit Qeveritar për Migracion, funksionalizimi i Sistemit të Identifikimit Biometrik në pikat kufitare, si dhe avancimi i kapaciteteve për mbrojtjen dhe pritjen e migrantëve.
Po ashtu, gjatë diskutimeve u prezantua edhe zhvillimi i Sistemit të Integruar për Menaxhimin e Informatave për Migracionin. Pjesëmarrja në këtë ngjarje dëshmon përkushtimin e vendit për avancimin e politikave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ndërsa institucionet kanë bërë të ditur se «Kosova konfirmon mbështetjen për Planin e Veprimit 2028–2032, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në zbatimin e prioriteteve të përbashkëta».