Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Premte · 31 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Kosova publikon raportin e parë zyrtar — 13,227 të vrarë e të zhdukur

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë publikon një raport preliminar me 13,227 persona të vrarë, zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës

Redaksia ZHURMA Përditësuar 12:25 + Ruaj
Kosova publikon raportin e parë zyrtar — 13,227 të vrarë e të zhdukur
FOTO · Foto: Karen Pierce / Wikimedia Commons

PRISHTINË — E dërguara e Posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, ka reaguar pas publikimit të raportit me dëshmi nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm në vendosjen e fakteve dhe llogaridhënies. Pierce tha se gjetjet e publikuara janë të rëndësishme për vendosjen e provave të bazuara në fakte dhe për llogaridhënien “për më shumë se 13 mijë njerëzit që humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe për shumë të tjerë që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma”.

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar raportin preliminar për personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë. Ky është raporti i parë zyrtar nga institucionet e Kosovës, i cili u prezantua më 29.07.2026, në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas të dhënave të verifikuara në raportin e publikuar, Lista përfshin gjithsej 13,227 persona të vrarë, persona të zhdukur me dhunë dhe persona të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë. Prej tyre, 12,230 (92.5%) lidhen me periudhën e luftës (1 janar 1998 – 20 qershor 1999), ndërsa 997 (7.5%) me periudhën e pasluftës (21 qershor 1999 – 31 dhjetor 2000), në rastet kur është dokumentuar lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet vdekjes/zhdukjes dhe luftës në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të raportit tha se ky raport do të përditësohet me të dhëna të reja dhe e cilësoi atë si një dëshmi institucionale të çmimit të lirisë. “Raporti përfaqëson njerëz jetë, familje dhe histori të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi dinjitet dhe përgjegjësi”- tha ai.

Drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, tha se Instituti ka nisur një proces të standardizuar të verifikimit dhe validimit të të dhënave, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për bashkimin teknik të listave ekzistuese, por për verifikimin individual të secilit rast.

Burim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/pierce-paqja-e-qendrueshme-kerkon-qe-te-gjitha-komunitetet-te-ballafaqohen-me-ndershmeri-me-te-kaluaren/
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Kosovë →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →