Kosova pa qartësi për kërkesat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ende nuk i di kriteret për agjendën e Komitetit të Ministrave.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Shtatë muaj para takimit të radhës të Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian, autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se janë duke punuar për të identifikuar kriteret që duhet të plotësohen. Dy vjet e gjysmë pas dështimit për t'u anëtarësuar, në Ministrinë e Punëve të Jashtme deklarojnë se mungon qartësia rreth kërkesave të nevojshme për t'u futur në agjendë.
Në një përgjigje për mediat, MPJD-ja thekson se po zhvillohen komunikime me shtetet partnere për të sqaruar qëndrimet dhe për të adresuar shqetësimet e ngritura. Sipas ministrisë, procesi mbështetet te opinioni pozitiv i Asamblesë Parlamentare, ndërsa theksohet se anëtarësimi do të forconte mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe komuniteteve joshumicë. Më herët, si kusht u prezantua dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit për Asociacionin, por MPJD-ja nuk ka treguar nëse ky kushtëzim vazhdon të mbetet në fuqi. Takimi i radhës është caktuar për 12 maj në Mal të Zi, ndërsa nga Këshilli i Evropës nuk ka ende konfirmim nëse çështja e Kosovës do të diskutohet.
Opozita ka kritika të ashpra për qasjen e ekzekutivit. Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se qeveria nuk e ka trajtuar seriozisht këtë çështje dhe se janë zotuar për zbatimin e asociacionit të pranuar në marrëveshjen e Ohrit nga kryeministri Albin Kurti. Nga ana e saj, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkon angazhim maksimal dhe thekson se qeveria nuk duhet të ndërmarrë hapa të ngutshëm apo veprime populiste për interesa partiake, por t'i jepet prioritet shtetit. Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në maj të vitit 2022.