Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në vizitë zyrtare në SHBA
Delegacioni i FSK-së ka marrë pjesë në panairin e mbrojtjes në Uashington D.C. dhe ka zhvilluar takime zyrtare në Pentagon e me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, delegacioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i udhëhequr nga komandanti gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes, “AUSA annual meeting & exposition”, në Uashington D.C. Ngjarja ka pasur mbi 700 ekspozues dhe përfaqësim nga më shumë se 100 shtete, ndërsa pjesëmarrja e delegacionit ka shërbyer për t'u njohur nga afër me teknologjitë ushtarake të fundit, me qëllim modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të forcës.
Në kuadër të agjendës, komandanti i FSK-së qëndroi në Departamentin e Luftës së SHBA-së në Pentagon, ku zhvilloi një takim me zëvendësndihmës sekretarin e Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C. Jenkins. Gjatë këtij bashkëbisedimi u diskutuan çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e operacioneve speciale, ku u riafirmua mbështetja e plotë e SHBA-së për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin e saj profesional dhe kontributin në sigurinë globale.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në SHBA, gjenerali Jashari u takua me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga gjenerali brigade Charles H. Lampe. Gjatë këtij takimi u shqyrtuan të arriturat e deritashme të bashkëpunimit ndërmjet dy forcave, si dhe u diskutua plani i bashkëpunimit dypalësh për periudhën pesëvjeçare të ardhshme.