KFV Prishtina zyrtarizon partneritet me FC Andora
Hapet një rrugë e re drejt zhvillimit të futbollistëve kosovarë
PRISHTINË — KFV Prishtina ka zyrtarizuar një partneritet strategjik me futbollin spanjoll, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me FCA International, akademinë ndërkombëtare të FC Andorra. Ky partneritet synon të ndërtojë ura të reja ndërmjet Kosovës dhe Katalonisë përmes futbollit.
KFV Prishtina dhe FC Andorra do të ofrojnë vajzave dhe djemve nga Kosova qasje në programe elitare prove dhe zhvillimi, programe tre mujore dhe sezonale me akomodim nga grupmoshat U9 e tutje, programin profesional U23, stërvitje me performancë të lartë, vlerësime profesionale nga stafi teknik i FC Andorra.
Partneriteti është edhe më e madhe për faktin se FC Andorra është pjesë e sistemit të futbollit spanjoll, një prej kampionateve më prestigjioze dhe më konkurruese në botë. Për një futbollist të ri nga Kosova, hyrja në këtë ekosistem nënkupton jo vetëm stërvitje sipas metodologjisë spanjolle, por edhe mundësinë për t’u ndjekur nga trajnerë, skautë dhe klube që operojnë në një nga tregjet më të zhvilluara të futbollit evropian.
Për shumë të rinj, kjo mund të jetë ura që lidh talentin me futbollin profesionist. Ky partneritet mbështetet mbi një marrëdhënie të krijuar vite më parë në kuadër të projektit me UEFA Foundation for Children. Në vitin 2023, me mbështetjen e FC Barcelona, ekipi U17 i KFV Prishtina udhëtoi në Manresa, ku zhvilloi një ndeshje miqësore kundër vajzave të FC Andorra.
Ajo eksperiencë dëshmoi vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit kulturor dhe zhvillimit elitar të futbollistëve. Besimi dhe vizioni i përbashkët i krijuar gjatë asaj vizite kanë evoluar sot në një partneritet zyrtar me perspektivë afatgjatë.
Për KFV Prishtina, kjo marrëveshje është shumë më tepër se një memorandum bashkëpunimi. Ajo përfaqëson një investim në të ardhmen e futbollit kosovar dhe një angazhim të vazhdueshëm për t’u krijuar vajzave dhe djemve mundësi që deri dje konsideroheshin të paarritshme.
Klubi vazhdon të dëshmojë se zhvillimi i talenteve nuk kufizohet vetëm në rezultatet sportive, por ndërtohet përmes partneriteteve strategjike me institucione që ndajnë të njëjtin vizion për edukimin, profesionalizmin dhe ekselencën. Detajet mbi regjistrimet, datat e programeve dhe procesin e përzgjedhjes së futbollistëve do të bëhen publike në javët në vijim.
Burim: RTV21, https://rtv21.tv/kfv-prishtina-zyrtarizon-partneritet-me-fc-andora-hapet-edhe-nje-rruge-e-re-drejt-futbollit-profesionist-spanjoll
— Redaksia ZHURMA