Kërkohet llogari nga autoritetet për policët e maskuar në protestën e Cyrihut
Këshilltarët komunalë kërkojnë shpjegime zyrtare për angazhimin e policëve civilë të maskuar gjatë grevës së të rinjve në Cyrih.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Prania e policëve civilë të maskuar gjatë grevës së të rinjve më 20 nëntor në Cyrih të Zvicrës ka ngritur shqetësime dhe kritika publike. Gjatë kësaj proteste kundër armatosjes dhe masave të kursimit, në mesin e demonstruesve u vërejtën persona të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, të cilët mbanin syze mbrojtëse dhe të paktën një shkop policor. Përplasjet e krijuara detyruan ndërhyrjen e policëve me uniformë, të cilët përdorën gaz lotsjellës dhe municion gome.
Policia e qytetit të Cyrihut konfirmoi angazhimin e pjesëtarëve civilë për identifikimin dhe arrestimin e personave që rrezikonin sigurinë publike, duke mohuar çdo pretendim se ata nxitën tensione. Gjatë operacionit u arrestuan katër persona, 29 të tjerë u shoqëruan për verifikim, ndërsa rreth 60 persona u larguan nga zona.
Këshilltarët komunalë Yves Henz, Moritz Bögli dhe Lara Can dorëzuan një kërkesë zyrtare drejtuar Këshillit të Qytetit. Ata kërkojnë sqarime mbi bazën ligjore, numrin e efektivëve, pajisjet dhe urdhrat e dhënë, si dhe pyetje rreth përfshirjes së mundshme të tyre në protesta të tjera që nga viti 2023 dhe natën e Halloween-it. Autoritetet e qytetit pritet të kthejnë përgjigje deri më 3 mars 2027.


