← Kosovë
Live · Kosovë · 06:58 · 17 Korrik 2026

Pse Kanadaja nuk do t'i ndajë ShBA-së nga të hyrat e urës miliardëshe?

Kanadaja ta rikthejë koston e investimit fillestar, thotë kryeministri Mark Carney

— OTTAWA — Kanadaja nuk do t'i ndajë me Shtetet e Bashkuara të hyrat nga taksa e qarkullimit nëpër urën e re që e lidh qytetin kanadez, Windsor, dhe atë amerikan, Detroit, derisa Kanadaja ta rikthejë koston e investimit fillestar, tha të enjten kryeministri kanadez, Mark Carney.

Hapja e shtyrë e urës 'Gordie Howe', për ndërtimin e së cilës ka paguar Kanadaja, i ka rritur tensionet dhe u ka shkaktuar kosto ekonomike edhe ShBA-së, edhe Kanadasë, në kohën kur dy vendet fqinje gjithashtu po mundohen të hartojnë një marrëveshje tregtare të përditësuar, raporton agjencia e lajmeve 'Reuters'.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kishte siguruar 'një marrëveshje shumë më të mirë' që ShBA-ja ta lejojë hapjen e urës, që është caktuar për 27 korrik. Kundërshtarët politikë e kritikuan Carney-n për dorëzim para ShBA-së, pasi zyrtarët amerikanë thanë se kaluan 'nga pozita pa të hyra' te të hyrat domethënëse.

Megjithatë, në një konferencë për gazetarë të enjten, Carney tha se marrëveshja themelore me shtetin Michigan për urën mbetet e pandryshuar nga viti 2012, kur Kanadaja ishte pajtuar që ta mbulonte koston e ndërtimit të urës. Sipas atij pakti, Kanadaja ka të drejtë që t'i grumbullojë të gjitha fitimet nga taksa derisa ta rikthejë koston e investimit në urë.

'Çfarëdo ndarjeje e të hyrave nga taksa nuk do të ndodhë derisa i tërë borxhi të jetë paguar' – tha Carney. Ai shtoi se Kanadaja do t'i ndajë të hyrat neto me ShBA-në gjatë 15 viteve të para, pas mbulimit të kostove operuese, përfshirë mirëmbajtjen dhe heqjen e borës.

Hollësitë e marrëveshjes mes dy vendeve fqinje nuk janë bërë publike. Dy burime i thanë agjencisë 'Reuters' se javën e kaluar ishte arritur një marrëveshje dhe se ShBA-ja do të marrë 50 për qind të fitimit nga të hyrat e taksës dhe se do ta ketë të drejtën për të bllokuar çfarëdo takse që është 10 për qind më e lartë se tarifat aktuale.

— Burim: Nacionale, https://nacionale.com/globale/kanadaja-sdo-ti-jape-shba-se-nga-te-hyrat-e-ures-miliardeshe-derisa-te-fshihet-borxhi — Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #kosove

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën