Kamberi: Kosova është shtet i pavarur, pushteti i ri në Serbi të pranojë realitetin
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë kërkon ndryshim kursi nga qeveria e re ndaj Kosovës.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Deputeti i zgjedhur shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka theksuar se çështja e Kosovës vazhdon të përdoret për qëllime politike në Serbi. Ai ka vlerësuar se fitimi i zgjedhjeve pa mbështetjen e elektoratit nacionalist mbetet i vështirë, ndërsa tema e Kosovës mbetet ndër më të preferuarat në skenën politike atje.
Në një deklarim për Dukagjinin, Kamberi ka thënë: «Do të shohim pasi të krijohet qeveria e re, a do ta mbajnë vijën e njëjtë apo do të ketë ndryshim në qasje».
Sipas tij, përfaqësuesit e Listës Studentore, ku përfshihen akademikë dhe profesorë, duhet t'i kuptojnë pretendimet e deritanishme të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si të parealizueshme. «Prandaj, do të duhej të ndryshonin kursin politik, për t’u përballur me një realitet që për 27 vjet mbretëron në Kosovë. Kosova është shtet i pavarur. Dhe në atë realitet të ndërtojë edhe raporte me Kosovën», ka shtuar Kamberi.
Këto deklarata vijnë në kohën kur në Serbi pritet formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, kurse marrëdhëniet mes dy vendeve ndërmjetësohen përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.