Kadrijaj: Shëndetësia çështje e dinjitetit njerëzor, qytetarët në hall
Deputetja Time Kadrijaj ka kritikuar gjendjen në shëndetësi gjatë interpelancës së ministrit Arben Vitia në Kuvend.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjatë interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në Kuvendin e Kosovës lidhur me mungesën e barnave onkologjike dhe rastin e një pacienteje që vdiq nga kanceri, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka ngritur kritika të ashpra për gjendjen në këtë sektor. Ajo kërkoi nga qeveria që ta trajtojë shëndetësinë si prioritet dhe kërkoi përgjigje se kur do të nisë zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, duke shtuar se qytetarët po përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar barnat.
«Shëndetësia është çështje e dinjitetit njerëzor. A është shëndetësia prioritet i kësaj qeverie? Aman, bëjeni prioritet, se qytetarët janë në hall», ka deklaruar Kadrijaj gjatë seancës. Ajo përmendi gjithashtu një qytetar që humbi jetën në mungesë të barnave, i cili sipas saj kishte pyetur «A me jetu, a me ble barna?», duke kërkuar nga institucionet dhe deputetët që të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapa për përmirësimin e situatës.