Isni Kilaj niset për në Hagë para aktgjykimit për Thaçin e të tjerë
Ish-kryetari i Malishevës udhëton drejt Hagës, ndërsa Dhomat e Specializuara pritet të japin verdiktin.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Ish-kryetari i Malishevës dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Isni Kilaj, është nisur për në Hagë për të ndjekur shpalljen e aktgjykimit. Ai ka deklaruar se pret drejtësi nga ky proces gjyqësor për administrim të drejtësisë, i cili pritet të jepet më 17 nëntor nga ora 10:00 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në këtë rast gjyqësor, bashkë me Kilajn akuzohen edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi. Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, ata akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendimet për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.
Kilaj, para se të nisej, ka ndarë fotografi familjare dhe ka shkruar: «Sot po nisem për në Hagë! Me 17 nëntor e kemi verdiktin nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pres drejtësi! Sido që të jetë, gjithmonë-përjetësisht do të jem me Çlirimtarët!».