shqiperi

Hoxha: Nuk ka ende projekt të miratuar në Zvërnec

Si do të vendoset ekuilibri mes zhvillimit dhe natyrës në lagunën e Vlorës?

Hoxha: Nuk ka ende projekt të miratuar në Zvërnec
Foto: ata.gov.al

TIRANË — Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se për investimin në Zvërnec nuk ekziston ende një projekt i miratuar dhe se çdo vendimmarrje do të mbështetet në vlerësime të plota, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.

Në një takim me gazetarë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Hoxha tha se çështja është diskutuar gjerësisht me partnerët ndërkombëtarë dhe se autoritetet shqiptare kanë ndarë me ta të gjithë informacionin e nevojshëm. Aktualisht po punohet për hartimin e një projekti, por ende nuk ka dokument të miratuar.

"Nuk kemi një projekt. Është përsëritur disa herë; nuk ka një projekt të miratuar", deklaroi Hoxha, duke shtuar se beson informacionin e qeverisë dhe të arkitektëve ndërkombëtarë për mënyrën se si mund të menaxhohet zhvillimi dhe natyra. "Por projekti ende duhet bërë."

Ministri njoftoi se do të kryhet një vlerësim i detajuar i ndikimit në mjedis, në përputhje me detyrimet ligjore dhe angazhimet e Shqipërisë. "Ende nuk e kemi, sepse projekti nuk është bërë", theksoi ai, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një investim privat në një zonë private, ndërsa qeveria do të sigurojë zbatimin e rregullave dhe standardeve ndërkombëtare.

Hoxha bëri thirrje për durim para se të nxirren përfundime. "Le të kemi durim të shikojmë se çfarë do të bëhet para se të dalim me gjykime të nxituara", tha ai, duke kërkuar gjetjen e ekuilibrit të duhur mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 12-të me marshim drejt Kryeministrisë
  2. Dea Mishel e quan Grida Dumën 'në anën e gabuar të historisë'
  3. Matura Shtetërore 2026: dalin notat e gjuhës së huaj
  4. Malaj: Bankers Petroleum ka nisur këstet e 120 milionë eurove

Vazhdo leximin

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.