Homazhe dhe debate politike në Shqipëri për 82-vjetorin e Çlirimit
Presidenti Bajram Begaj kërkon nderim për dëshmorët, ndërsa politika vijon të mbetet e ndarë në qëndrimet rreth datës zyrtare.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Me rastin e 82-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, krerët e shtetit dhe autoritetet kanë zhvilluar homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në nderim të dëshmorëve të atdheut. Presidenti Bajram Begaj në një postim në rrjetet sociale theksoi se sakrifica e tyre mbetet amaneti më i shenjtë për brezat e ardhshëm. «Sot, ne nderojmë kujtimin e trimave që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë; bij dhe bija të këtij vendi, që në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë, zgjodhën të vendosnin lirinë e atdheut mbi jetën e tyre», u shpreh ai, duke shtuar se ruajtja e veprës dhe e lirisë mbetet detyrim i përhershëm.
Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Evis Kushi, ka bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Megjithatë, dita e shënuar ka gjetur sërish politikën shqiptare të ndarë, teksa të majtët respektojnë 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit kurse të djathtët i përkujtojnë të dyja festat më 28 Nëntor. Debati mbetet i ndezur që nga koha kur e djathta kishte ndryshuar datën gjatë mandatit të parë qeverisës, përpara se 29 Nëntori të kthehej sërish në festë zyrtare me një ligj të posaçëm në verën e vitit 1997.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar



