Haxhiu: Institucionet regjistruan viktimat e luftës një nga një për herë të parë
Kryetarja e Kuvendit ka pritur drejtorin e IKKL-së, i cili i ka dorëzuar raportin vjetor të punës për këtë vit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi. Gjatë këtij takimi, drejtori Hetemi i ka dorëzuar asaj raportin vjetor të punës së këtij institucioni.
Haxhiu ka bërë të ditur se është njoftuar lidhur me punën e këtij viti, duke veçuar procesin e verifikimit të të dhënave për secilën viktimë veç e veç, mbi bazën e të cilit është hartuar lista preliminare e viktimave që u publikua përgjatë muajit korrik. Sipas saj, ky është rasti i parë kur institucionet e vendit i regjistrojnë viktimat e luftës në këtë mënyrë, duke u mbështetur te dëshmi dhe dokumente të verifikuara.
Haxhiu ka deklaruar se dokumentimi i saktë shërben si përgjigjja më e fuqishme përballë mohimit të krimeve nga Serbia. Ajo ka shtuar se Kuvendi i Kosovës, i cili kishte miratuar ligjin për themelimin e këtij institucioni, do të vijojë mbështetjen ndaj punës së tij, duke shprehur mirënjohje për stafin dhe drejtorin Hetemi për kujdesin ndaj çdo dëshmie e emri.