Halim Hasani sjell veprën me pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë aforizma
Aforisti nga Dobrosini publikon librin e ri prej 704 faqesh, duke kurorëzuar mbi tri dekada krijimtari.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Aforisti i njohur nga Dobrosini i Luginës së Preshevës, Halim Hasani, ka publikuar librin e ri të titulluar «5555 Aforizma (Fjalë të urta, konstatime, shprehje, frazeologjizma)». Vepra voluminoze përmban 704 faqe dhe shënon një etapë të rëndësishme në krijimtarinë letrare të autorit, duke pasuruar njëkohësisht fondin e aforistikës shqiptare.
Ky botim përfaqëson frytin e një punë të gjatë që mbështetet në vëzhgimin e vazhdueshëm të jetës, përvojës njerëzore dhe realitetit shoqëror. Rrugëtimi letrar i Hasanit në këtë gjini nisi në vitin 1993 me librin «Aforizma të kohës», për të vazhduar ndër vite me botime të tjera si «200 Aforizma» në vitin 2005, «Aforizma bashkëkohorë» në vitin 2008, «Fjalë nëpër kohë» në vitin 2012, «Fjali me inxhi» në vitin 2013, «Fjali pa mahi» në vitin 2014, si dhe «2400 Aforizma» në vitin 2016.
Përmes kësaj krijimtarie shumëvjeçare, autori ndërthur urtinë popullore, ironinë, humorin, filozofinë dhe vështrimin kritik ndaj dukurive shoqërore. Për Hasanin, aforizmi shërben si një mënyrë për të depërtuar në thelbin e ngjarjeve, duke nxitur lexuesin të reflektojë mbi vlerat, moralin, drejtësinë dhe paradokset e jetës së përditshme.