Grabitje me thikë ndaj një 58-vjeçari në një pompë derivatesh në Podujevë
Tre persona të maskuar grabitin rreth 500 euro në një pompë derivatesh në Siboc të Podujevës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
PODUJEVË — Tre persona të maskuar kanë kryer një grabitje në orët e para të mëngjesit të së hënës në fshatin Siboc të Podujevës, ku është shënjestruar një pompë derivatesh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30, kur të dyshuarit kanë kërcënuar me thikë një 58-vjeçar.
Sipas informacioneve, dy nga grabitësit kanë mbajtur viktimën nën kërcënimin e armës së ftohtë, ndërsa personi i tretë ka marrë rreth 200 euro nga lokali. Të dyshuarit i kanë marrë po ashtu viktimës 250 deri në 300 euro që i kishte në xhep, duke e çuar shumën e përgjithshme të grabitjes në rreth 450 deri në 500 euro. Pas incidentit, autorët janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika për të mbledhur provat dhe për të dokumentuar rastin. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti për veprën penale «Grabitja», ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.