GLPS: Projektligji për Byronë të mos votohet në lexim të dytë
Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon kthimin e projektligjit në Komisionin për Legjislacion para seancës së enjtes.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka kërkuar që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të mos votohet në lexim të dytë, por të kthehet për shqyrtim në Komisionin për Legjislacion. Në një konferencë për media, përfaqësuesit e kësaj organizate, Blerina Istrefi dhe Liridon Salihu, kanë theksuar se projektligji nuk i ka adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe se procedura mes dy leximeve ka qenë vetëm një formalitet.
Hulumtuesi Liridon Salihu ka deklaruar se «në përmbajtjen që ka aktualisht Projektligji, siç e kemi theksuar edhe pasi që është votuar në lexim të parë, ne vlerësojmë që ky Projektligji përmban të gjitha ato dispozita për të cilat Gjykata Kushtetuese në vitin 2023 e ka rrëzuar këtë Projektligj. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim substancial sa i përket përmbajtjes në raport me atë që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese».
Sipas organizatës, çështjet shqetësuese përfshijnë sigurinë juridike të qytetarëve, pavarësinë funksionale të Byrosë, aspektin penal dhe barazinë e palëve në procedurë. Një nga problematikat kryesore të ngritura është përcaktimi i datës 17 shkurt 2008 si pikënisje për verifikimin e pasurisë. Lidhur me këtë afat, Salihu ka shtuar: «Prandaj, kemi kërkuar që ky afat të hiqet dhe të respektohet në përpikëri, afati i cili është sugjeruar dhe është rekomanduar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pra jo afat më i gjatë se sa 10 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji».
Projektligji është caktuar në rend të ditës për votim në seancën plenare të enjten, ndërsa GLPS-ja u ka bërë thirrje palëve të autorizuara që ta kontestojnë atë në Gjykatën Kushtetuese nëse miratohet në formën aktuale.