Gjykata Kushtetuese i kthen pagat veta
Pse gjykatësit kushtetues shfuqizuan uljen e pagave që Kuvendi miratoi vetëm katër muaj më parë?
SHKUP — Kryetari dhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të marrin paga më të larta nga 1 tetori i këtij viti, pasi Gjykata shfuqizoi pjesët e Ligjit për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar që Kuvendi i miratoi në shkurt të këtij viti. Ky vendim u soll më 17 qershor dhe u publikua në uebfaqen e Gjykatës me arsyetim të plotë, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.
Në fund të muajit shkurt, Kuvendi i miratoi ndryshimet e Ligjit me të cilat i zvogëloi koeficientët për përllogaritjen e pagave të funksionarëve. Në nenin 14, i cili e përfshin edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, koeficienti u ul nga 3,08 në 2,81. Në nenin 15, i cili u referohet gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese, koeficienti u zvogëlua nga 2,85 në 2,60. Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi ato ndryshime, duke deklaruar se ato nuk do të vlejnë më nga data 1 tetor 2026.
Nga 1 tetori, pagat do të përllogariten përsëri me koeficientët e vjetër — 3,08 për kryetarin dhe 2,85 për anëtarët, siç ishin miratuar me ndryshimet e Ligjit nga viti 2024. Për përllogaritjen e pagës së personave të zgjedhur dhe të emëruar merret paga mesatare e shumëzuar me koeficientin.
Gjykata ngriti procedurë më 4 shkurt me iniciativë të vetë, pa pritur kundërshtim nga jashtë, dhe vendosi të vlerësonte kushtetueshmërinë e këtyre dispozitave. Kuvendit dhe Qeverisë iu dërgua vendimi për ngritjen e procedurës me kërkesë për prononcim, por deri në afatin e dhënë nuk ka pasur përgjigje. Gjithashtu, sipas nenit 36 paragrafi 2 të aktit të Gjykatës, Kuvendit iu caktua një afat prej 60 ditësh për ndryshimin dhe/ose plotësimin e Ligjit në të cilin janë përfshirë pjesët e kontestuara, por deri në skadimin e afatit nuk veproi.
Vendimi kaloi nën radarin publik pjesërisht sepse në të njëjtën seancë u shfuqizua riemërimi i rrugëve dhe shesheve në Tetovë nga viti 2007, që nënkupton kthimin e emrave të vjetër dhe tërhoqi vëmendjen kryesore.
Gjykata argumentoi se ligjvënësi, Kuvendi, ka të drejtë t'i përcaktojë pagat në sektorin publik, por nuk mundet dhe nuk guxon ta injorojë pozicionimin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese. Në arsyetimin e vendimit, Gjykata theksoi se është një organ i veçantë i Republikës që e mbron kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe ka garanci më të forta për pavarësinë dhe autonominë e saj. Koeficienti për kryetarin ishte i njëjtë me atë të nënkryetarit të Kuvendit, dhe për gjykatësit me anëtarët e Qeverisë, guvernatorit të Bankës Popullore, avokatit të shtetit, avokatit të popullit, sekretarit të Kuvendit dhe sekretarit të Qeverisë, çka sipas Gjykatës përbën një shkelje thelbësore të sundimit të ligjit dhe autonomisë institucionale dhe funksionale.
Prandaj, Gjykata vërtetoi se neni 14 në pjesën „kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë“ dhe neni 15 në pjesën „gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë“ nga Ligji për Paga nuk janë në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 dhe 11, nenet 51 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky vendim e vendos vetë Gjykatën Kushtetuese përtej kontrollit parlamentar për pagat e veta, duke vendosur një precedent për balancën e pushteteve.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.