Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Shtunë · 1 Gusht 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm KosovëKulturë

Gjon Mark Krasniqi sjell në shqip 5 vepra të Senekës

Botimi i pesë trajtesave stoike nga shtëpia 'Faik Konica' në Prishtinë shoqërohet me parathëniet e Anton Nikë Berishës.

Redaksia ZHURMA Përditësuar 06:49 + Ruaj
Gjon Mark Krasniqi sjell në shqip 5 vepra të Senekës
FOTO · Foto: Duble herma of Socrates and Seneca Antikensammlung Berlin 07 / Wikimedia Commons

PRISHTINË — Rreth një muaj më parë, shqipëruesi Gjon Mark Krasniqi nxori në dritë pesë vepra të rëndësishme të filozofit të madh romak Lucius Annaeus Seneca: "Mbi shkurtësinë e jetës", "Mbi providencën", "Mbi jetën e lumtur", "Mbi qetësinë e shpirtit" dhe "Mbi zemërimin". Botimi i këtyre veprave në gjuhën shqipe përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë për kulturën, filozofinë dhe mendimin shqiptar, sepse përmes tyre lexuesit tonë i hapet një dritare e re drejt urtisë së lashtë greko-romake dhe drejt njërit prej mendimtarëve më të shquar të filozofisë stoike.

Në librin "Mbi shkurtësinë e jetës", Seneka ndalet te një nga shqetësimet më të mëdha të njeriut: kalimi i kohës. Ai e kundërshton bindjen se jeta është e shkurtër në vetvete. Sipas tij, njeriu nuk ka domosdoshmërisht pak kohë, por humb shumë prej saj në shqetësime të kota, në ambicie të pafundme, në lakmi, në angazhime të panevojshme dhe në varësi nga mendimi i të tjerëve.

Në veprën "Mbi providencën", Seneka trajton pyetjen e vjetër dhe të vështirë se përse njerëzit e mirë përballen me vuajtje, sprova dhe fatkeqësi. Ai mendon se vështirësitë nuk janë gjithmonë shenjë e braktisjes apo e padrejtësisë së fatit. Përkundrazi, ato mund të jenë prova përmes të cilave njeriu e forcon karakterin, e ushtron qëndresën dhe e dëshmon virtytin.

Në veprën "Mbi jetën e lumtur", Seneka shqyrton një nga synimet më të mëdha të njeriut: dëshirën për të qenë i lumtur. Mirëpo, sipas tij, lumturia nuk qëndron te pasuria, fama, pushteti apo kënaqësitë e çastit. Ajo buron nga jeta në pajtim me arsyen, natyrën dhe virtytin. Njeriu i lumtur nuk është ai që zotëron më shumë, por ai që nuk bëhet skllav i asaj që zotëron.

Në veprën "Mbi qetësinë e shpirtit", Seneka i kushtohet një prej nevojave më të thella të njeriut: ruajtjes së ekuilibrit të brendshëm. Qetësia shpirtërore nuk nënkupton mungesën e problemeve, por aftësinë për të mos u sunduar prej tyre. Njeriu i qetë nuk është ai që nuk përjeton vështirësi, por ai që nuk e humb drejtimin e arsyes dhe të ndërgjegjes kur ato shfaqen.

Në veprën "Mbi zemërimin", Seneka na kujton se qetësia nuk mund të kërkohet vetëm në rrethanat e jashtme, por duhet të ndërtohet brenda njeriut, përmes njohjes së vetvetes, masës, vetëkontrollit dhe pajtimit me atë që nuk mund të ndryshohet. Vepra e pestë, "Mbi zemërimin" është ndër trajtesat më të rëndësishme morale të Senekës. Ajo përbëhet nga tri libra dhe i drejtohet vëllait të tij, Novatusit, të njohur më vonë me emrin Gallio.

Burim: Fjala, https://fjala.info/pese-rreze-drite-te-senekes-ne-shqip-fale-shqiperimit-te-gjon-mark-krasniqit
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Kosovë →

Nga Enciklopedia

Muzeu →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →