Gjobiten shoferët e autobusëve në Prizren që nuk ndalen në stacionin zyrtar
Policia e Kosovës ndërmerr kontrolle në zonën e stacionit të autobusëve dhe shqipton gjoba prej 100 eurosh për drejtuesit që shkelin rregullat.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
PRIZREN — Policia e Kosovës ka ndërmarrë aktivitete të shtuara kontrolli dhe vëzhgimi në komunikacion në Prizren, ku zyrtarët patrullues nga Stacioni Policor kanë hasur disa drejtues autobusësh që nuk kanë respektuar vendndaljen zyrtare. Sipas njoftimeve zyrtare, ngasësit nuk kanë hyrë fare në Stacionin e Autobusëve për të marrë udhëtarë, por janë ndalur në afërsi të tij, jashtë hapësirave të parapara për këtë qëllim.
Ndaj kundërvajtësve janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore dhe secilit prej tyre i është shqiptuar gjobë në shumën prej 100 euro. Këto kontrolle janë zhvilluar në kuadër të planeve operative dhe detyrave të rregullta, me qëllim të verifikimit të respektimit të shenjave të trafikut dhe obligimit për hyrje në stacion nga kompanitë e ndryshme.
Në përfundim të këtyre aksioneve, Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të autobusëve dhe përfaqësuesve të transportit publik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, dispozitat ligjore në fuqi dhe parimet e konkurrencës së drejtë e të ndershme.