Gazeta zvicerane: Rama drejton personalisht bumin e ndërtimeve
Tages-Anzeiger i kushton një artikull zhvillimeve në Shqipëri dhe librit "The Albanian Files", duke ngritur pikëpyetje mbi vendimmarrjen dhe projektet e mëdha.
TIRANË — Gazeta zvicerane Tages-Anzeiger ka publikuar një artikull të gjatë mbi bumin e ndërtimeve dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri, duke u ndalur te projekti i investimit në Zvërnec dhe mënyrën se si merren vendimet për projektet e madha në vend.
Sipas shkrimit, kryeministri Edi Rama paraqitet si një figurë që drejton personalisht zhvillimin urban dhe arkitekturor, ndërsa kritikat dhe pikëpyetjet lidhen me faktin se vendimmarrja ushtrohet gjerësisht pa procese tradicionale tenderimi. Artikulli thekson se libri "The Albanian Files", botuar nga shtëpia zvicerane Lars Müller Publishers në Zyrih, përmbledh qindra projekte arkitekturore të propozuara për Shqipërinë në rreth 800 faqe, me një parathënie të shkruar nga vetë Rama.
Në artikull thuhet gjithashtu se disa arkitektë kanë pranuar se janë kontaktuar drejtpërdrejt nga kryeministri përmes rrjeteve sociale për të hartuar projekte. Ndërkohë, trajtohen edhe shqetësimet e ngritura nga aktivistë dhe gazetarë lidhur me financimin e disa prej këtyre projekteve dhe lidhjet e mundshme me paratë e trafikut të drogës.