Sa e gatshme është Kosova për taksën e karbonit të BE-së?
Pse mbi 3 miliardë euro investime duhen për tranzicionin e gjelbër?
PRISHTINË — Instituti GAP ka prezantuar raportin "Politikat Industriale të Gjelbra: Analizë e Kontekstit të Kosovës", ku nxjerr në pah se sa të papërgatitura janë bizneset vendore për taksën e karbonit që Bashkimi Evropian e zbaton që nga fillimi i këtij viti.
Drejtori ekzekutiv Blendi Hasaj tha se projekti udhëhiqet prej tre vitesh, me intervista të shumta me biznese dhe koordinim me organizata të shoqërisë civile në vendet e tjera të Ballkanit, pasi sfidat janë të ngjashme. "E veçanta është që kemi shku pak më thellë në ekonominë tonë", tha ai, duke theksuar se kanë parë edhe kostot e mosveprimit.
Rrona Zhuri nga GAP listoi sfidat kryesore: ritmi i ngadaltë i burimeve të ripërtëritshme krahasuar me objektivat, ekspozimi i eksportuesve ndaj mekanizmit CBAM, mungesa e planit gjithëpërfshirës për tranzicionin e drejtë, dhe nevoja për mbi 3 miliardë euro investime.
Zhuri theksoi se një politikë industriale e gjelbër, e dizajnuar mirë, do të lidhte tranzicionin energjetik me zhvillimin ekonomik përmes instrumenteve fiskale, granteve, subvencioneve dhe kontratave për diferencë, duke sjellë përfitime si përmirësimi i sigurisë energjetike dhe krijimi i vendeve të punës.
Sipas raportit, sektori energjetik i Kosovës është shumë i varur nga termocentralet me linjit, ku pothuajse 90% e prodhimit realizohet aty, ndërsa kapaciteti i burimeve të ripërtëritshme është rritur nga 116 megavat në 2018 në 330 megavat në 2025.
Dritan Nelaj nga Fondacionet për Shoqëri të Hapur paralajmëroi tensionet gjeopolitike dhe konkurrencën strategjike mes SHBA-ve dhe Kinës. "Nuk duhet parë si kërcënim, por si mundësi zgjimi", tha ai, duke theksuar rëndësinë e përshtatjes së inteligjencës artificiale dhe thellimin e politikës së gjelbër të BE-së përmes CBAM-it.
Investimet e nevojshme arrijnë deri në 3 miliardë euro për 10 vjet, me 1.3 miliardë për burimet e ripërtëritshme, 390 milionë për rehabilitimin e termocentraleve, dhe 350 milionë për efiçiencën. Sipas Bankës Botërore, deri në 2050 mund të nevojiten 4.7 miliardë euro.
Burim: Ekonomia Online, https://ekonomiaonline.com/gap-publikon-raportin-sistemi-energjetik-ne-kosove-po-perballet-me-sfida/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.