Franca i premton Kosovës 60 milionë euro kredi për sport e rini
Ministri francez Benjamin Haddad njoftoi pesë marrëveshje bashkëpunimi dhe kredi prej 60 milionë euro për infrastrukturën sportive e rinore.
PRISHTINË — Franca do ta ndihmojë Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe në realizimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian, tha Ministri i Deleguar francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, në një intervistë për RTK-në, në përmbyllje të vizitës së tij zyrtare në Kosovë.
"Mesazhi që solla në Kosovë është një mesazh miqësie. Kombet tona kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës që nga fillimi. Tani po përgatitemi së bashku për të ardhmen e Evropës", deklaroi Haddad. Gjatë vizitës u nënshkruan pesë marrëveshje bashkëpunimi në drejtësi, kulturë dhe arsim, si dhe marrëveshje që mbështesin organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Haddad bëri të ditur se Franca do ta mbështesë Kosovën edhe përmes një kredie prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim, për rinovimin e infrastrukturës sportive dhe rinore. Ai kujtoi edhe programin prej 80 milionë eurosh për tranzicionin energjetik.
"Po, unë mbështes perspektivën evropiane të Kosovës dhe ky është një qëndrim i qartë i Qeverisë franceze", tha ministri. Sipas tij, përparimi drejt Bashkimit Evropian kërkon zbatim reformash, forcim të sundimit të ligjit dhe respektim të angazhimeve ndërkombëtare.
Për sigurinë rajonale, Haddad e cilësoi Ballkanin Perëndimor pjesë të rëndësishme të arkitekturës evropiane të sigurisë dhe rikujtoi kontributin francez në KFOR. "Fatmirësisht situata e sigurisë është e qetë, por duhet të mbetemi gjithmonë vigjilentë", tha ai.
Në aspektin ekonomik, Haddad vlerësoi se Kosova ofron potencial të madh për investime franceze, duke përmendur rritjen e shkëmbimeve tregtare. Sipas tij, inteligjenca artificiale, teknologjia, tranzicioni energjetik, sporti, kultura dhe arsimi paraqesin mundësi për bashkëpunim të thelluar mes dy vendeve.
Burim: Demokracia
— Redaksia ZHURMA