Foda: Po ndjekim lojtarë të kampionateve ndërkombëtare për të ardhmen
Kombëtarja e Kosovës po përgatitet për sfidat e fundit në Nations League, ndërsa trajneri flet për planet dhe mungesat në skuadër.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Përfaqësuesja e Kosovës po bëhet gati për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni në Nations League, ku do të përballet me Izraelin në stadiumin «Fadil Vokrri» dhe me Irlandën në udhëtim. Skuadra ndodhet në vendin e dytë të grupit me pesë pikë dhe synon ta mbyllë atë në krye, duke synuar edhe kualifikimin për në evropian. Përzgjedhësi Franco Foda ka folur rreth planeve afatgjata, duke shpjeguar se stafi teknik po vëzhgon lojtarë si nga kampionatet vendase ashtu edhe nga ato ndërkombëtare për t'i dhënë mundësi të reja ekipit. «Është e rëndësishme që kemi disa mundësi edhe për ndeshjet e ardhshme. Megjithatë, duke pasur parasysh skuadrën, ne nuk përgatitemi vetëm për ndeshjet aktuale, por edhe për vitin e ardhshëm dhe kualifikimet për Kampionatin Evropian», deklaroi Foda, duke shtuar se puna bëhet bashkërisht për të arritur këto objektiva.
Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se për sfidat e ardhshme trajneri nuk do të mund të llogarisë te Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani për shkak të dëmtimeve. Po ashtu, Enis Rexhepi mbetet jashtë pasi nuk ka marrë ende miratimin nga FIFA. Nga ana tjetër, Lumbardh Dellova do t'i bashkohet grupit të lojtarëve, por fillimisht do t'i nënshtrohet testeve mjekësore për të përcaktuar nëse do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushën e blertë.