Davontrey Thomas shpallet MVP i javës së tetë në Superligë
Basketbollisti i Golden Eagle Yllit merr çmimin e lojtarit më të vlefshëm të javës së tetë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Basketbollisti i Golden Eagle Yllit, Davontrey Thomas, është shpallur lojtari më i vlefshëm i javës së tetë në Superligë, pas një paraqitjeje të shkëlqyer në fitoren kundër Bashkimit. Thomas regjistroi 25 pikë, dhjetë kërcime dhe pesë asistime, duke arritur një indeks efikasiteti prej 30 dhe duke siguruar çmimin MVP.
Në pesëshen më të mirë të kësaj jave janë përzgjedhur gjithsej pesë lojtarë, ku skuadra therandase përfaqësohet me dy prej tyre. Përveç Thomasit, pjesë e pesëshes është bërë edhe bashkëlojtari i tij Connor Withers, i cili kontribuoi në triumfin e Yllit me 22 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime, duke regjistruar një indeks 28.
Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, Bryson Dawkins i Sigal Prishtinës shkëlqeu në fitoren ndaj Pejës me 21 pikë, 11 kërcime dhe katër asistime. Amin Hot udhëhoqi Borën drejt triumfit kundër Vëllaznimit me 11 pikë, gjashtë kërcime dhe nëntë asistime, kurse Kenneth Hasbrouck ishte lojtari më i mirë i Trepçës në fitoren ndaj Rahovecit me 19 pikë dhe një asistim.