Lapitët
Lapitët, popull legjendar i Tesalisë, të dëgjuar për luftimet e tyre kundër centaurëve që banonin në malet fqinj. Episodi i fundit i kësaj lufte të gjatë është përleshja që ndodhi në martesën e mbretit të Lapitëve, Piritoit, me Hipodaminë. Në këtë martesë ishin ftuar edhe centaurët. Por Aresi i zemëruar, sepse nuk i kishin bërë asnjë flijim, ua turbulloi mendjen centaurëve, të cilët fyen gratë dhe donin të rrëmbenin edhe Hipodaminë. Këto sjellje brutale shërbyen si sinjal për përleshjen e tmerrshme. Në këtë luftim centaurët pësuan disfatë. Një ndihmë të madhe për shkatërrimin e tyre dhanë Herakliu dhe Tezeu. Kjo është ndoshta një legjendë mbi luftimet e lapitëve me fiset e egra malësore, që paraqiten si centaurë.