Labirinti
Labirinti, ndërtesë (në antikitet) me plan shumë të ndërlikuar, që kishte një numër të madh hyrjesh e korridoresh të ngatërruara në një mënyrë që ai që hynte ta kishte të vështirë të dilte. Autorët e vjetër flasin për katër labirinte: labirinti i Egjiptit, i Kretës, i Samosit, i ndërtuar me urdhër të Polikratit dhe ai i Italisë, që siç duket, do të ketë qenë varri i mbretit. Etrusk, Porsena. Labirinti i Egjiptit ka qenë përshkruar nga Herodoti (II, 178) që e vizitoi në mesin e shekullit V para es. Ishte një ndërtesë e ngritur krejtësisht me gurë gëlqerorë, kishte 12 salla të mëdha, të vendosura paralelisht njëra me tjetrën. Përveç këtyre sallave, kishte një numër të madh dhomash, tre mijë sipas Herodotit, nga të cilat 1500 ishin brenda në tokë dhe shërbenin si varre të mbretërve e të krokodilëve të
egjiptasit. Labirinti qe ndërtuar nga faraoni Amenemheti III (shekulli XIX para es.), pranë Fajumit. Fjalën labirint, e cila u bë e përgjithshme, Herodoti e përdori pikërisht për këtë ndërtesë të madhe. Supozohet se fjala greke labirint e ka prejardhjen nga greqishtja labrys, që do të thotë sëpatë me dy anë të mprehta, që, siç duket, ka qenë simboli i pushtetit mbretëror në Kretë. Por nga të gjitha labirintet, më i dëgjuari ka qenë ai që ndërtoi Dedali me urdhër të Minosit, pranë Knosit në Kretë. Ky labirint shërbente si strofkë për Minotaurin. Tezeu, i ndihmuar nga fija e Arianës, arriti deri te Minotauri dhe e vrau atë. Miti mbi labirintin e Kretës pasqyron edhe lulëzimin e shtetit të Kretës, në mijëvjeçarin II para es. Në gjuhën e sotme fjala labirint do të thotë jo vetëm një ndërtesë me hyrje e dalje të ngatërruara, por ka edhe kuptimin e diçkaje të ndërlikuar, së cilës mezi i gjendet filli.
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.