Etna
Etna, vullkan që mban emrin e një nimfe, bijës së Uranit e të Gjeas, që zgjidhi grindjen midis Demetrës dhe Hefestit për zotërimin e Sicilisë. Etna shërbeu si burg për përbindëshin Tifon, pasi u mund nga perënditë e Olimpit. Avulli dhe zjarri që dilnin nga krateri i këtij vullkani vinin, sipas përfytyrimeve të vjetra, nga frymëmarrja e ndezur e gjigantëve. Një version latin i legjendës thotë se në Etna ndodhej punishtja e Hefestit dhe e ndihmësve të tij; ku ata farkëtonin armët e perëndive e të heronjve.