Elona Latifi finaliste e çmimit 'Great Neighbour'
Çmimi 'Great Neighbour' nderon vullnetarët që japin kontribut të veçantë në komunitetet e tyre përmes përkushtimit dhe punës sociale.
NORTHAMPTON — Elona Latifi është një nga finalistet e BBC Radio Northampton Make a Difference Awards 2026, në kategorinë "Great Neighbour Award", një vlerësim që nderon individët që japin kontribut të veçantë në komunitetet e tyre përmes përkushtimit, vullnetarizmit dhe punës sociale.
Ky vlerësim vjen si një njohje për punën shumëvjeçare të Elonës dhe të Albanian Cultural Association, organizatë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e komunitetit shqiptar në Northampton dhe më gjerë në Mbretërinë e Bashkuar.
Për Latifin, ky moment nuk është vetëm një arritje personale, por një vlerësim për të gjithë vullnetarët, mbështetësit, partnerët dhe familjet që kanë besuar në misionin e organizatës. Ndër vite Albanian Cultural Association ka zhvilluar iniciativa që synojnë reduktimin e izolimit social, përmirësimin e mirëqenies së komunitetit, mbështetjen e familjeve në nevojë, fuqizimin e grave, ndihmën për të moshuarit dhe promovimin e kulturës shqiptare.
"Ky vlerësim nuk më përket vetëm mua; ai i përket çdo vullnetari, mbështetësi, partneri dhe çdo personi që ka besuar në punën e Albanian Cultural Association", është shprehur Elona Latifi. "Pavarësisht rezultatit në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve, të qenit finaliste është një nder i madh", deklaroi ajo.
Burim: Diaspora Shqiptare
— Redaksia ZHURMA




