Kush u ekstraduan?
Policia e Kosovës njoftoi për ekstradimin e dy personave të kërkuar ndërkombëtarisht, njëri nga Shqipëria për në Kosovë dhe tjetrit nga Kosova për në Shqipëri.
— Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë së hënës ka realizuar ekstradimin e dy personave të kërkuar ndërkombëtarisht, njërit nga Shqipëria për në Kosovë dhe tjetrit nga Kosova për në Shqipëri. Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Të dy të dyshuarit ishin në kërkim përmes INTERPOL-it, bazuar në letër-rreshtime ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e drejtësisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Policia bëri të ditur se njëri prej tyre kërkohej për veprat penale “Blerje, posedim dhe shpërndarje e substancave narkotike” si dhe “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare”, ndërsa i dyshuari tjetër kërkohej për veprën penale “Trafikim me narkotikë”.
Pas ekstradimit, të dy janë dorëzuar tek autoritetet kompetente për procedurat e mëtejshme ligjore. Po ashtu, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë së njëjtës ditë, në Prishtinë është arrestuar edhe një shtetas turk, i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhër-arreste ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e Malit të Zi dhe Turqisë.
Sipas policisë, ai dyshohet për përfshirje në disa vepra penale, përfshirë mashtrimin, shmangien nga tatimi dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare. Me urdhër të prokurorit kompetent, shtetasi turk është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e parapara ligjore.
Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare në shkëmbimin e informacioneve, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimit, arrestimit dhe ekstradimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.
Burim: Lajmi.net, https://lajmi.net/policia-ekstradon-dy-te-kerkuar-mes-kosoves-dhe-shqiperise-arrestohet-ne-prishtine-edhe-nje-shtetas-turk-i-kerkuar-nga-interpol-i/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.