Dushan Maksimoviq dënohet me 30 vjet burg për sulmin në Banjskë
Si e lidhën provat e telefonit Dushan Maksimoviqin me barrikadat e dhjetorit të vitit 2022 në veri të vendit?
PRISHTINË — Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për përfshirjen e tij në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Ai ishte i vetmi nga të akuzuarit që pranoi të përballej fizikisht në sallën e gjyqit me shpalljen e aktgjykimit ndaj tij.
Përveç dënimit për Banjskën, Maksimoviq rezulton i përfshirë edhe në një tjetër rast të rëndë të sigurisë në veri të Kosovës. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai ngarkohet për pjesëmarrje në organizimin e barrikadave të dhjetorit të vitit 2022 në Zveçan dhe në lokacione të tjera.
I akuzuari ka pranuar pjesëmarrjen e tij në barrikadat e Rudarit dhe Banjskës, por ka mohuar të ketë pasur rol udhëheqës. Para prokurorëve, ai deklaroi se shkoi atje nga frika se do të humbte vendin e tij të punës në hotelin “Rajska Banjska” në veri të vendit.
Provat e nxjerra nga ekzaminimi forenzik i telefonit të tij celular treguan një situatë krejtësisht tjetër nga mbrojtja e tij. Hetuesit gjetën fotografi ku Maksimoviq shfaqej me uniformë ushtarake, jelek antiplumb, maskë dhe armë zjarri, si dhe pamje të personave të tjerë të armatosur në veri.
Maksimoviq ishte gjithashtu pjesë e një grupi në Viber të quajtur “Barikada December 2022”, së bashku me Milosh Radosavljeviqin dhe Nemanja Joloviqin. Në këtë grup u gjetën komunikime të qarta për uniforma dhe municione, të cilat ai i pranoi si autentike, megjithëse tha se nuk kishte shpjegim për to.
Sipas Prokurorisë Speciale, ky rrjet komunikimi dëshmon se ai koordinonte aktivitetet në terren dhe mbështeste strukturat që paraprinë sulmin e mëvonshëm në Banjskë. Ky organizim i vitit 2022 shërbeu si bazë për sulmet e armatosura të vitit të kaluar, për të cilat Maksimoviq tashmë ka marrë dënimin maksimal.
Burim: Demokracia
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.