Dukagjin Lipa do të jetë folës kryesor në konferencën CROWD & LOUD
Themeluesi i Sunny Hill Festival ftohet si folës kryesor në ngjarjen më të madhe rajonale të industrisë së eventeve në Zagreb.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Dukagjin Lipa do të jetë një nga folësit kryesorë në CROWD & LOUD powered by Entrio, konferenca më e madhe rajonale e industrisë së eventeve, e cila do të mbahet më 12 nëntor në Lauba të Zagrebit. Me mbi 25 vjet përvojë në muzikë, media dhe teknologji, ai njihet si menaxheri dhe themeluesi që qëndron pas suksesit global të Dua Lipës dhe Sunny Hill Festival, ngjarje kjo që e ka pozicionuar Kosovën në hartën muzikore ndërkombëtare.
Gjatë një bisede me gazetarin Galeb Nikačević, Lipa do të trajtojë tri çështje kryesore: ndërtimin e një karriere botërore, vlerën e një brendi muzikor dhe hapat për shndërrimin e një festivali lokal në ndërkombëtar. Krahas tij, ligjërata kryesore do të mbajnë edhe Jim Digby, drejtor i turneve të Linkin Park, si dhe Tamás Kádár, drejtor ekzekutiv i festivalit Sziget në Hungari, ndërsa në program përfshihen mbi 20 folës të tjerë dhe katër panele diskutimi.
Aktivitetet e kësaj dite përfshijnë trajtimin e temave mbi biletat, artin, biznesin dhe zhvillimin e një industrie muzikore rajonale, ndërsa mbrëmja do të përmbyllet me ceremoni çmimesh, koncerte dhe një aheng me DJ. Biletat për këtë ngjarje kushtojnë 100 euro, ose 90 euro me përdorimin e kartës Mastercard, dhe mund të sigurohen në platformën Entrio.