Dështon seanca për vrasjen e Triumf Rizës — mungon gjyqtari Lutfi Shala
Gjyqtari Lutfi Shala mungoi për arsye personale, ndërsa seanca e radhës ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut u caktua më 11 shtator.
PRISHTINË — Seanca gjyqësore ndaj Ilir Abdullahut, i njohur si "Liza", dhe Rrahim Abdullahut, i njohur si "Rrumqi", për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza, ka dështuar të mbahet. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se në seancë mungonte gjyqtari Lutfi Shala.
Gjyqtari Shala mungoi për arsye personale, kështu që seanca e radhës u caktua për më 11 shtator. Procesi në rigjykim po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues që kryesohet nga Avni Syla, pasi ish-kryetari Valon Kurtaj u avancua në Gjykatën e Apelit.
Në shkurt të vitit 2025, gjykata kishte vendosur për bashkimin e lëndëve të dy të akuzuarve për shkak të ekonomizimit të procedurës. Rrahim Abdullahu akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndonëse në vitin 2015 Gjykata Themelore ia kishte rikualifikuar veprën për dhënie ndihme pas kryerjes.
Gjykata e kishte dënuar Rrahim Abdullahun me 4 vjet e 11 muaj burgim në vitin 2015, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim. Ndërsa, i akuzuari tjetër Ilir Abdullahu u arrestua nga Policia e Kosovës në korrik të vitit 2023 në Batllavë.
Ilir Abdullahu kishte qenë në kërkim për 15 vjet përpara se të prangosej, ndërsa aktakuza ndaj tij u ngrit në shtator të vitit 2024. Për vrasjen e policit Riza, dorasi Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burgim, kurse Enver Sekiraqa me 25 vjet burg.
Sekiraqa ndodhet aktualisht në arrati, teksa kjo përbën herën e tretë që ai dënohet për shtytje në vrasjen e policit Riza. Sipas aktakuzës, ky grup i organizuar nga Sekiraqa kishte vepruar për hakmarrje, pasi Riza e kishte rrahur Sekiraqën në vitin 2005 në kazino.
Ditën e vrasjes, më 30 gusht 2007, Fitim Avdiu i dërgoi mesazh Ilir Abdullahut për lëvizjet e Rizës. Më pas, Arben Berisha shtiu 11 herë me pistoletë në shpinë të policit, duke i shkaktuar plagët nga të cilat ai vdiq, ndërsa të akuzuarit e tjerë prisnin afër.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA