Debat në komision për blerjen e energjisë nga KEK-u
Pyetja e deputetit të LDK-së për blerjen e rrymës nga Korporata Energjetike e Kosovës ka nxitur përplasje me deputetët e pushtetit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2025 në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, çështja e furnizimit ka sjellë replika mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Ermal Sadiku, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar sqarime nga Bordi i ZRRE-së duke përmendur deklarimet publike të përfaqësuesve të pushtetit se Korporata Energjetike e Kosovës nuk blen rrymë. «Disa prej deputetëve këtu dalin e thonë KEK-u nuk blen rrymë, edhe ministri, ministrja del thotë KEK-u nuk blen rrymë», u shpreh ai gjatë mbledhjes.
Ndaj kësaj pyetjeje ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, i cili pranoi se është deklaruar më parë për blerje të energjisë, por sipas tij në sasi të kufizuara. «Po, ne kemi thënë që në masë të vogël blen rrymë, i kemi thënë», deklaroi Kelmendi. Debati është zgjeruar pas ndërhyrjes së tij, ku është përfshirë edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i cili ka kundërshtuar deputetin e opozitës.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, ofroi sqarime teknike rreth mënyrës se si funksionon sigurimi i energjisë elektrike. «Desha vetëm të sqaroj se KEK-u nominon në baza ditore energjinë në dispozicion dhe, për atë pjesë që nominon, në rast se ka rënie, obligohet, por kjo është për disa orë», tha Gojani, ndërkohë që raportimi i tij para komisionit parlamentar ka vazhduar.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


