Si po bashkëpunojnë Bozhinovska dhe MANU për energjetikën?

Pse ministrja e energjisë kërkon ekspertë vendas për politikat strategjike të Maqedonisë?

Si po bashkëpunojnë Bozhinovska dhe MANU për energjetikën?
Foto: Pixabay

SHKUP — Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim pune me akademikun Zhivko Popov, kryetar i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (MANU). U diskutua për vendosjen e një bashkëpunimi më intensiv ndërmjet Ministrisë dhe institucionit më të lartë shkencor në vend, në krijimin e politikave strategjike në fushën e energjisë, minierave dhe burimeve minerale.

Në takim u theksua se sfidat bashkëkohore në sektorin e energjisë, tranzicioni energjetik dhe menaxhimi i qëndrueshëm i lëndëve të para minerale kërkojnë një lidhje të fortë ndërmjet institucioneve që hartojnë politikat dhe komunitetit akademik, i cili disponon njohuri dhe përvojë shumëvjeçare.

Ministrja Bozhinovska theksoi se bashkëpunimi i suksesshëm deri më tani ndërmjet Ministrisë dhe MANU-së, veçanërisht në përgatitjen e dokumenteve strategjike për zhvillimin e sektorit minerar, përbën një shembull se Maqedonia disponon ekspertë të nivelit të lartë vendas, të cilët i njohin më së miri gjendjen, potencialet dhe nevojat e shtetit.

„Qëndrimi im personal dhe profesional është se Maqedonia ka një potencial të fuqishëm akademik dhe profesional, i cili duhet të shfrytëzohet shumë më tepër në hartimin e politikave kombëtare. Në vend që të kërkojmë zgjidhje jashtë vendit, duhet të tregojmë se kemi profesorë, akademikë dhe ekspertë tanët me përvojë të jashtëzakonshme, të cilët mund të kontribuojnë në përgatitjen e dokumenteve strategjike dhe planeve zhvillimore për shtetin tonë. Në këtë mënyrë ndërtojmë politika të bazuara në dijen vendase, përvojën praktike dhe interesin kombëtar", theksoi ministrja Bozhinovska.

Gjatë bisedimeve u theksua edhe mundësia për një bashkëpunim më intensiv me Departamentin e Shkencave Teknike pranë MANU-së, veçanërisht në fushën e energjetikës, me qëllim që arritjet shkencore dhe analizat e ekspertëve të përfshihen edhe më aktivisht në formësimin e mëtejshëm të drejtimeve afatgjata të zhvillimit të sektorit energjetik maqedonas.

Siç u theksua në takim, sektori i energjetikës sot po zhvillohet me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë, ndërsa teknologjitë e reja dhe trendet evropiane po hapin çështje që deri para disa vitesh nuk kanë qenë pjesë e politikave kombëtare. Ligji i ri për Energjetikën sjell zgjidhje dhe fusha moderne që deri më tani nuk kanë qenë të rregulluara plotësisht në legjislacionin vendor, ndër të cilat përfshihen sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, rrjetet inteligjente dhe moderne, zhvillimi i elektromobilitetit, modelet e reja të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe integrimi i teknologjive bashkëkohore në sistemin energjetik.

Njëkohësisht, Maqedonia do të ketë edhe një ligj të ri për burimet e ripërtëritshme të energjisë, ndërsa procese të rëndësishme zhvillimore po zhvillohen edhe në fushën e efikasitetit energjetik.

Në këtë kontekst, u vlerësua se është veçanërisht e rëndësishme që komuniteti shkencor dhe profesional të kontribuojë në mënyrë aktive në ndjekjen e trendeve bashkëkohore dhe në integrimin e tyre të duhur në politikat afatgjata dhe drejtimet zhvillimore të sektorit energjetik maqedonas.

Ministrja Bozhinovska dhe akademiku Popov u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe komunitetit shkencor duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, i cili do të kontribuojë në miratimin e zgjidhjeve cilësore dhe të qëndrueshme, të bazuara në dijen vendase, argumentet shkencore dhe kapacitetet profesionale, në interes të zhvillimit të energjisë, minierave dhe burimeve minerale të Maqedonisë.

Burim: Tetova Sot, https://tetovasot.com/2026/06/bozhinovska-popov-bashkepunim-me-intensiv-ndermjet-ministrise-se-energjetikes-minierave-dhe-burimeve-minerale-merms-dhe-akademise-maqedonase-te-shkencave-dhe-arteve-manu-eksp/
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Vdes punonjësi i EVN-së gjatë detyrës në Kriva Pallankë
  2. Dimitrievski: ZNAM hyri në qeveri për të parandaluar gabimet e së kaluarës
  3. Gjykata Kushtetuese rrëzon emrat shqiptarë të rrugëve të Tetovës
  4. Temperaturat deri në 42°C dhe rrezik ekstrem zjarresh këtë verë në Maqedoni

Vazhdo leximin