Berisha kërkon Krujën dhe Fushë-Krujën bashki të veçanta
Në Kuvendin e PD-së në Krujë, Berisha premtoi se përpjekja për ndarjen territoriale nuk do të ndërpritet dhe akuzoi qeverinë për çmimet.
KRUJË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë punimeve të Kuvendit të PD-së, Dega Krujë, se përpjekja për ta bërë Fushë-Krujën dhe Krujën bashki të veçanta nuk do të ndërpritet. Ai e cilësoi Krujën kryeqendër dhe shtoi se ajo duhet të qëndrojë bashki më vete.
Në fjalën e tij, Berisha tha se Foltorja e parë e Ripërtëritjes po mbahet në Krujë. Ai vlerësoi angazhimin e drejtuesve dhe aktivistëve lokalë, ndërsa theksoi nevojën që Partia Demokratike të ripërtërihet dhe të forcojë strukturat e saj.
Kreu i PD-së kritikoi qeverinë Rama për gjendjen ekonomike, duke e akuzuar mazhorancën për rritjen e çmimeve dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës. Sipas tij, shqiptarët përballen me rritje të çmimeve të ushqimeve, kostove të karburanteve dhe shpenzimeve për ilaçe e shërbime shëndetësore.
Berisha deklaroi se “në 10 vite, 47 për qind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria”, duke e lidhur këtë me mënyrën se si përdoren taksat e qytetarëve. Ai shtoi se çmimet e ushqimeve u rritën në Shqipëri nga vjet në sivjet 6 herë më shumë se në Romë, në Berlin dhe në vende të tjera.
Gjatë aktivitetit, ai theksoi se “Shqipëria pret sot më shumë se kurrë ndryshimin” dhe se Edi Rama është “e shkuara e zezë e këtij vendi”.