BE-ja qorton Kosovën tri herë brenda tri ditësh për veriun
Dekreti për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë dhe riintegrimi i tyre në institucione
— PRISHTINË — Bashkimi Evropian në tri ditë në tri çështje të ndryshme ka dhënë vërejtje për veprimet e autoriteteve të Kosovës që lidhen me veriun. Duke nisur nga shqetësimi i shprehur për dekretin për dorëheqjet e personelit gjyqësor serb, BE-ja ka vazhduar me kritika për rrënimin e vilave në Ujman e në fund edhe ka bërë thirrje për përmbajtje të presionit mbi Këshillin Gjyqësor. Më 21 korrik, përmes një deklarate nga zëdhënësja në Bruksel, BE-ja ka shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për t'ua pranuar dorëheqjet personelit serb pas katër vjetësh prej se i kishin dorëzuar ato.
E ky vendim u bë pasi këta serbë tërhoqën letrat e dorëheqjes. BE-ja ka shprehur shqetësim edhe për dekretimin e vendimit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. BE-ja mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura më 15 korrik 2026 nga ana e gjykatësve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë të Kosovës.
BE-ja është e shqetësuar me vendimin e djeshëm të Këshillit Porkurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet të cilat tashmë ishin tërhequr dhe me vendimin e sotëm të ushtrueses së detyrës së presidentes për të dekretuar këto dorëheqje. Kjo duket të mos jetë në përputhje me ligjin, me procedurën e nevojshme dhe kërkesat nga sundimi i ligjit në Kosovë.
E zyra e BE-së në Kosovë doli në mbrojtje të vilave në Ujman të nesërmen, pasi nisi rrënimi i 11 prej tyre në pronën e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”. Kjo zyrë shprehu keqardhjen duke thënë se nuk është respektuar procedura e rregullt ligjore dhe se kjo s’është hera e parë që po ndodh.
BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës.
Reagimet e BE-së nuk morën fund me kaq. Të enjten, kjo zyrë u bëri thirrje partive politike që të përmbahen nga presioni mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës lidhur me vendimmarrjen për kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë. Reagimi i BE-së u bë pas postimeve të disa deputetëve të partisë në pushtet lidhur me KGJK-në.
Burim: Koha.net, https://www.koha.net/arberi/tri-blic-verejtjet-e-be-se