BDI akuzon Qeverinë: rebalanci i buxhetit lë pa financim Klinikën e Tetovës
Klinika Universitare në Tetovë dhe Spitali i Kërçovës mbetën pa financim shtesë në rebalancin e buxhetit 2026.
SHKUP — Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzoi Qeverinë se me rebalancin e Buxhetit për vitin 2026 refuzoi të gjitha amendamentet e propozuara nga grupi i tij parlamentar, duke injoruar interesat e shqiptarëve. Lajmin e bëri të ditur vetë partia në një konferencë për media, shkruan Tetovasot.
Sipas BDI-së, amendamentet nuk kishin karakter partiak, por synonin më shumë investime për komunat shqiptare, zhvillim të barabartë rajonal, si dhe mbështetje shtesë për shëndetësinë, arsimin dhe infrastrukturën. Asnjë nga këto propozime, thotë partia, nuk u pranua nga shumica parlamentare.
“Kur refuzohet financimi për Klinikën Universitare në Tetovë, kur nuk sigurohen mjete shtesë për Spitalin e Kërçovës dhe kur nuk mbështetet zhvillimi i barabartë rajonal, qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse shqiptarët trajtohen me të njëjtin standard si pjesa tjetër e vendit”, deklaroi BDI.
Partia opozitare thotë se rebalanci i buxhetit lë jashtë financimin për Klinikën Universitare në Tetovë, nuk rrit investimet për komunat shqiptare, zvogëlon fondet për zhvillim të barabartë rajonal dhe nuk siguron transparencë për shpërndarjen e investimeve kapitale. BDI e quajti këtë mënyrë vendimmarrjeje “majorizim”, duke paralajmëruar rrezik për një sistem që bie ndesh me aspiratat eurointegruese të vendit.
BDI bëri të ditur se do të vazhdojë të kërkojë shpërndarje të barabartë të investimeve publike dhe trajtim të njëjtë për të gjitha komunat e qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Burim: Tetova Sot
— Redaksia ZHURMA