Si po preken banorët e Kodrës së Trimave?
Temperaturat e larta dhe mbeturinat e pambledhura po rrisin shqetessim në Prishtinë
— Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë po përballen nga temperatura të larta dhe mbeturina e pambledhura. Në rrugën “Bedri Gjini”, grumbujt e mbeturinave kanë mbetur për ditë të tëra, duke përhapur kundërmim të rëndë.
Banorët thonë se problemet nisën pasi shërbimi i grumbullimit kaloi nga Kompania Rajonale e Pastrimit te kompanitë private të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës. Skender Arifi ankohet për vonesa të vazhdueshme në grumbullimin e mbeturinave.
“Qe dy javë nuk vijnë asnjë ditë me e marrë bërllokun. Kjo na mbyti, çfarë aroma ka, nuk po mundemi as me qëndru në shtëpitë tona. Problemi është se tash ua kanë dhënë kompanive private dhe nuk kemi ditë të caktuara. Nuk e dimë kur me e nxjerrë bërllokun që të vijnë me e marrë atë ditë. Ka raste që nuk vijnë dy-tri javë për ta marrë, madje para kësaj kanë kaluar edhe katër javë”, ka thënë banori Arifi.
E sipas Betim Mushicës, problemet me grumbullimin e mbeturinave në këtë zonë janë shumë më të vjetra. “Në vitin 2025 nuk kanë qenë askund me shërbim. Për rreth pesë-gjashtë muaj e kam dërguar bërllokun te Qafa, sepse nuk vinin ta merrnin për tri-katër javë. Disa ditë filluan të vijnë më rregullisht, por jo në orar të caktuar. Ne prej vitesh e kemi pasur ditën e premte, por tash e kanë ndryshuar edhe orarin dhe nuk po vijnë. Bërlloku po mbetet ashtu siç po e shihni”, ka thënë Mushica.
Donjet Bislimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka thënë se një situatë e tillë paraqet rrezik për banorët. “Çdo gjë që del jashtë standardeve është rrezik. Mbeturinat në të gjitha periudhat e vitit paraqesin rrezik, por gjatë verës janë edhe më problematike, për shkak se mbeturinat janë një komponent i përshtatshëm për zhvillimin e brejtësve dhe vektorëve të ndryshëm, si insektet, mushkonjat e të tjera, të cilat mund të bartin dhe shpërndajnë sëmundje”, ka thënë ajo.
Pas pyetjeve të dërguara nga KOHA, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, ka thënë se ka kërkuar menjëherë sqarime nga operatori privat që operon në këtë zonë lidhur me situatën. “Sipas operatorit ‘Selmans’, të premten e javës së kaluar ekipi nuk ka mundur ta kryejë shërbimin për shkak të pengesave të krijuara nga parkimi jo i rregullt i automjeteve, të cilat kanë pamundësuar qasjen e kamionit të grumbullimit”, ka thënë Retkoceri.
Sipas Retkocerit, kompania ka intervenuar menjëherë për grumbullimin e mbeturinave, duke u bërë thirrje banorëve që, gjatë orarit të grumbullimit të mbeturinave, të shmangin parkimin e automjeteve, në mënyrë që të mos bllokohet qasja e kamionëve.
Burim: Koha.net, https://www.koha.net/arberi/banoret-e-kodres-se-trimave-ne-hall-me-mbeturinat
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.