Ballai merr marrëveshje 302 milionë dollarë me SHBA-në
Marrëveshja konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, forcon mbrojtjen dhe partneritetin strategjik
TIRANË — Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi në Kuvend miratimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, duke e cilësuar atë një marrëveshje historike për sigurinë kombëtare dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Në fjalën e tij gjatë seancës plenare, Balla tha se marrëveshja me vlerë 302 milionë dollarë konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si edhe besimin që Uashingtoni ka ndaj vendit tonë. Ai shtoi se financimi do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura përmes programit Foreign Military Sales, duke mundësuar blerjen e pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve sipas standardeve të NATO-s.
Ballai theksoi se Shqipëria ka rritur shpenzimet për mbrojtjen në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mbështet objektivin e ri të NATO-s për të arritur në 5% të PBB-së deri në vitin 2035. Sipas Ballës, vendimi për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë është një vlerësim i rëndësishëm për rolin që Shqipëria luan në Aleancë.
Shqipëria do të ketë 48 muaj për të angazhuar fondet, ndërsa kredia parashikon një afat shlyerjeje deri në 12 vjet, me mundësi periudhe grace deri në një vit dhe të drejtën për parapagim pa penalitete. Në përfundim, Balla u bëri thirrje deputetëve të mbështisin ratifikimin e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar, duke theksuar se ajo forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrit kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një aleate e besueshme dhe një faktor stabiliteti në rajon.
Burim: Gazeta Tema, https://www.gazetatema.net/politika/taulant-balla-marreveshja-302-milione-dollareshe-me-shba-eshte-historik-i576076
— Redaksia ZHURMA