Bajrami kritikon projektbuxhetin, Murati flet për rritje punësimi
Debat i ashpër në Kuvend mes deputetes së LDK-së dhe ministrit të Financave për projektbuxhetin e vitit 2027.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjatë diskutimit për projektbuxhetin e vitit 2027 në Kuvend, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ekzekutivin duke deklaruar se ndihma për familjet nuk duhet të kufizohet vetëm te shtesat financiare. Ajo ka përmendur ngecjen e projekteve infrastrukturore, siç është rruga Podujevë-Prishtinë, ku sipas saj qytetarët kalojnë deri në dy orë në rrugë, si dhe ka ngritur shqetësime për cilësinë në arsim, duke përmendur ekzistimin e qindra klasave me pak nxënës.
Bajrami ka kërkuar gjithashtu përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, krijimin e listës së barnave dhe zvogëlimin e listave të pritjes. Ajo i ka bërë thirrje qeverisë të tërheqë buxhetin për të sjellë projekte të mëdha për energjinë dhe politika lehtësuese fiskale.
Në kundërpërgjigjen e tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar sqarime nga deputetja nëse po kërkon rritje të tatimeve, duke theksuar se të hyrat janë rritur pa ndryshuar politikat fiskale. Murati ka përmendur se tatimet direkte kanë shënuar rritje prej 136 për qind krahasuar me periudhën kur Bajrami ka qenë ministre, ndërsa ka pretenduar se numri i të punësuarve në vend është rritur nga 350 mijë në 450 mijë veta.