Autoritetet italiane sekuestrojnë dy kompani për trafik kokainë
Dy kompani në Milano dhe Lecco janë sekuestruar për trafik ndërkombëtar kokainë dhe pastrim parash mbi 14 milionë euro, të transferuar në Shqipëri.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Autoritetet italiane të antimafias kanë sekuestruar dy kompani në Milano dhe Lecco, duke u bazuar në dyshime për trafik ndërkombëtar kokainë dhe pastrim parash që rridhnin nga një organizatë kriminale shqiptare. Sipas hetimeve, organizata përbëhej pothuajse tërësisht nga shqiptarë, ndërsa paratë pastroheshin në Itali dhe më pas dërgoheshin në Shqipëri. Operacioni i koduar "Caveau 38" i Drejtoresisë së Qarkut kundër Mafias në Milano, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, çoi në sekuestrimin e dy kompanive, si dhe në arrestimin e gjashtë personash.
Sipas hetuesve, organizata kriminale ka trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë dhe ka grumbulluar mbi 14 milionë euro në para të gatshme, të cilët janë transferuar në Shqipëri. Për pastrim parash përdoreshin edhe blerjet e shufrave të arit, me një peshë totale prej afro 8 kilogramësh. Gjithashtu janë sekuestruar mbi 1,5 milionë euro në para të gatshme dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë heroinë dhe marijuanë.
Në kuadër të hetimit janë nën hetim 52 persona, krahas dy kompanive, për veprime të kryera gjatë periudhës 2019–2022. Për kompanitë e sekuestruara është caktuar një administrator gjyqësor.